75 Mall Live Search
21:30 / E Enjte, 30 Korrik 2020 / indeksADMonline

Krasniqi: Vetëm PDK votoi pro rritjes së pagave për mjekët dhe policët

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku u shqyrtua buxheti i Kosovës, u propozua edhe rritja e pagave për personelin shëndetësor dhe policëve për shkak të angazhimit të tyre në luftën kundër pandemisë. Por, pro një vendimi të tillë nuk votuan Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Propozimin për rritjen e pagave e dha deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ndërkohë që deputeti tjetër i PDK’së, Memli Krasniqi, thotë se pro këtij propozimi ka votuar vetëm partia e tij.

“Bëhet fjalë për amendamentin 63 dhe 64, ku vetëm deputetët e PDK’së kanë votuar pro propozimeve për rritjen e pagave për punëtorët shëndetësorë dhe policët. Asnjë deputet nga grupet e tjera nuk e ka mbështetur këtë thirrje”, ka thënë Krasniqi për Express.

Propozimi për rritjen e pagave mori vetëm 24 vota pro, aq sa ishin deputetët e PDK’së në sallë. Vota të cilat nuk mjaftuan që personelit shëndetësor dhe policëve t’u rriten pagat.