75 Mall Live Search
22:12 / E Mërkurë, 12 Gusht 2020 / indeksADMonline

Mbyllja e pishinave të hapura: Mijëra euro të humbura, qindra punëtorë të papunë..

Kjo verë, ka qenë krejt e zymtë dhe pa atmosferë në Kosovë. Pandemia COVID-19 ka më shumë se pesë muaj që është bërë pjesë e përditshmërisë, derisa situata po vazhdon të rëndohen, jo vetëm në fushën e shëndetësisë, por duke prekur edhe bizneset.

Vendimi i Qeverisë për mbylljen e pishinave të hapura, jo vetëm që u ka lënë pak mundësi atyre që duan të relaksohen në ditët me diell, por goditja më e madhe vjen pikërisht për pronarët e këtyre bizneseve.

Afrim Hoxha, pronar i Aquaparkut “Ujëvara Resort” në Ferizaj, thotë se vendimi për mbylljen e pishinave të hapura, e në anën tjetër hapja e atyre të mbyllura është një gjë e pakuptimtë.

“Ne jemi të shokuar me këtë vendim, ka qenë vendim shumë i padrejtë, tu i pas parasysh edhe shtetet që janë përreth Maqedoninë, Shqipërinë, Mal të Zi e Serbi. Në të gjitha këto vende pishinat janë duke funksionu, vetëm tek ne pishinat e hapura janë mbyll dhe ato të mbyllurat janë hap.

Nuk e di kush i ka këshillu këta për këtë punë. Përndryshe ju e dini që më me 1 korrik kemi pas drejtë me punu dhe gjatë gjithë qershorit kemi prit se kur po hapen. Pasi shpenzime të shumta kemi pas edhe në qershor pasi që ne zakonisht bazenat i mbushim nga fundi i majit. U vonu lejimi me 1 korrik, e më 28 erdh vendimi për mu mbyll dhe tani, unë i kam dikund 4 milionë litra ujë, 8 pishina gjithsej, e unë jam i detyruar t’i mbajë me ujë pasi që s’po dihet nëse do të del ndonjë vendim tjetër. Shpenzimet ka shumë, klori, rryma, pastaj 3 punëtorë që janë mirëmbajtës”, tha Hoxha.

Gjatë sezonit veror të viti të kaluar, numri mesatar i qytetarëve që kanë vizituar këtë pishinë sipas Hoxhajt, ka qenë 600. Ndërsa ka punësuar 00 punëtorë sezonal.

“Vitin e kaluar kemi pas rreth 60 punëtorë, këtë vit i patëm dikund 40. Tash i kam vetëm 3 punëtorë që mirëmbajnë pishinën, të gjithë të tjerët janë në shtëpi. 15 -40 euro ka qenë meditja, varësisht nga puna që kanë kryer. Ne jemi në pritje të një përgjigjeje, të paktën të na thonë që s’do të hapen dhe mos të bëjmë shpenzime, apo të na kompensojnë diçka, të paktën shpenzimet. Vetëm në muajin korrik, vetëm rrymë ka ardhë diku 3700 euro”.

Njësoj si edhe Hoxha u shpreh edhe Albert Salihu, menaxheri i “Aqua Park” në Mitrovicë. I cili vendimin për mbylljen e pishinave të hapura e quan krejtësisht të palogjikshëm.

“Kur dihet që klori është dezinfektuesi që e lufton COVID-in më së miri dhe më së lehti, pishinat e mbyllta e mi hap e ato të hapura mi mbyll. S’e di si e kanë marrë këtë vendim. Por, dëme na kanë bërë jashtëzakonisht shumë. Në pishinin tonë kontratë që kem me ta, janë 87 punëtorë. I kemi edhe dy firma të tjera që operojnë në pishinën tonë, afër 118 punëtorë vetëm ne që operojmë si resort. Është dashur që me datë 31 t’i dërgojmë të gjithë në shtëpi. Tash jemi dikund 26 punëtorë krejt si kompani. Jemi shku edhe te Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe s’na ka dhënë asnjë përgjigje, vetëm që ka thënë është pandemi dhe i kemi marrë rekomandimet”.

Salihu tha se përgjatë muajit korrik sa kanë punuar, asnjë qytetarë që ka qenë në këtë pishinë nuk është infektuar. Derisa vitin e kaluar brenda ditës ka pasur mbi 2000 vizitorë.

Edhe pishina “Euro Park” në Zllakuqan të Klinës tash e dy javë nuk është duke funksionuar. Ndërsa përgjatë verës, është një atraksionet më të pëlqyera të kësaj pjese për t’u freskuar e kaluar ditët e vikendit. Dëme të mëdha thotë se pandemia, veçmas vendimi për mbylljen e pishinave i ka sjellë edhe menaxherit Zef Heqimit.

“S’është dasht të ndëshkohemi ne kështu. Sepse ne kemi hapësirë të mjaftueshme, edhe me na leju me punu me 50 persona. Jemi të dëmtuar mjaftë. Unë vitin e kaluar kam pas 36 punëtorë vetëm në pishinë, ndërsa këtë vit i kam pas 26. Punëtorët të gjithë janë më kontrata, nëse vazhdon kështu unë vetëm me mbyll krejt se s’ka asgjë. S’ka ardhë virusi vetëm nga pishinat, Sot gjatë vikendit bregdetin shqiptar e vizitojnë mbi 20 mijë veta, e kthehen pa asnjë kontrollë. Kur kafiteritë janë përplotë me mysafirë.

Në së pari për lëshuarjen e pishinës është dashur të bëhen disa përgatitje, se duhet në mars të nisin punët, që të hapet me 1 qershor. Përgatitjet për ngjyrosje, rreth 6000 euro të paguhet vetëm ngjyrë, më pas klori e të gjitha këto preparata për mirëmbajtjen e ujit. Bëjmë shpenzime të rrymës marramendëse. Vitin e kaluar kam paguar deri në 6000 euro fakturë mujore, sivjet pa marrë asnjë cent në hyrje i kam 2700 euro për muajin  e shtatë. Shpenzim që s’mbulohet kërkah”.

Ai thotë se dëmet kanë qenë edhe në sallën e dasmave që e kanë në kuadër të pishinës, edhe në gastronomi.

Ata thanë se për 28 ditë sa u hapën pishinat në korrik, ata iu kanë përmbajtur të gjitha masave të rekomanduara nga IKSHPK. Edhe nëse do të mirrej vendimi për hapjen e pishinave, ata kanë kapacitet për t’i zbatuar të gjitha rregullat anti-COVID, pasi që sipas tyre kanë hapësirë të mjaftueshme për mbajtje të distancës./Indeksonline