Selimi: ShBA është aleat i përjetshëm dhe partneri më kredibil i Kosovës

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka pritur sot në takim Bruce Ohr, nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare (OIA) në Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara. Selimi ka thënë se Kosova, falë përkrahjes së parezervë të ShBA-së, mund të krenohet për legjislacionin e saj të avancuar dhe adoptimin e praktikave më të mira në luftimin e krimit të organizuar.
“Kënaqësi e veçantë të takoj Bruce Ohr, nga Zyra për Marrëdhenie Ndërkombëtare (OIA) në Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, të cilin pasi e njoftova me të arriturat në sundimin e ligjit në Kosovë, biseduam për mekanizmat që ka krijuar vendi ynë në luftimin e krimit të organizuar dhe atij transnacional, si dhe për avancimin e mëtejmë të një sistemi kredibil e efikas të drejtësisë. Një diskutim të hollësishëm patëm për marrëveshjen e ekstradimit, veçanërisht lidhur me rastet konkrete të personave të kërkuar nga ShBA, si dhe për mundësinë e ngritjes së kapaciteteve të Prokurorisë dhe Gjyqësorit përmes marrjes së ekspertizës së drejtpërdrejtë në ndjekje dhe gjykim të rasteve të krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit”, ka thënë ministri Selimi.
Ai ka thënë se ShBA është aleat i përjetshëm dhe partneri më kredibil i Kosovës, andaj jemi të bekuar që si popull e shtet i kemi përqafuar idealet amerikane të lirisë dhe drejtësisë./IndeksOnline/