Dumoshi premton investime serioze, në Podujevë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar sot Komunën e Podujevës. Me ç‘rast ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Podujevës në detyrë Nexhmi Rudari, për fushat sportive në Kërpimeh, të cilat janë investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në vlerë prej 25.000 eurosh, projekt që do të implementohet gjatë vitit 2020.
Ministrja Dumoshi tha se ndihet tepër e lumtur që pati rastin të vinte gurin themeltar në Kërpimeh si ministre e Kulturës Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Mustafës dhe që po e sheh këtë projekt të jetësuar në këtë mandat. Ky përkushtim tregon edhe gatishmërinë e Qeverisë së Hotit për të përkrahur rregullimin e infrastrukturës sportive, gjithmonë në dobi të qytetarëve të Kosovës.
Rudari nga ana tjetër e falënderoi ministren Dumoshi për vizitën e saj në Podujevë dhe u shpreh shumë i kënaqur që Podujeva është prioritet investimi për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sepse vërtet qytetarët e Podujevës kanë nevojë për kushte më të mira sportive, rinore e kulturore.
Vizitën në Podujevë, ministrja Dumoshi e vazhdoi bashkë me ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj me të cilin shpërndau maska në kuadër të projektit “Be with us”, projekt i mbështetur nga Ambasada e Japonisë në Kosovë, UNICEF-i dhe organizata PEN.
Ministrja Dumoshi e ka zhvilluar këtë aktivitet në funksion të respektimit të masave anti-Covid-19 për sensibilizimin e qytetarëve, sidomos të rinjve për luftimin e pandemisë.
MKRS-ja do të investojë në të gjitha komunat e Kosovës pa dallim dhe do ta ketë prioritet rregullimin e infrastrukturës sportive, rinore e kulturore.