75 Mall Live Search
20:35 / E Premte, 28 Gusht 2020 / indeksADMonline

Reagon kapiteni i KB Rahovecit pas largimit të bordit të klubit

Skuadra e KB Rahovecit dje u përball me një situatë të papritur, ku bordit i klubit rahovecas dha dorëheqje.


Kjo dorëheqje e bordit të klubit erdhi, pasi nuk kishin përmbushur obligimet e nevojshme financiare, shkruan IndeksOnline

Pas kësaj ngjarje, ka reaguar menjëherë kapiteni i KB Rahovecit, Bardh Rexha, ai i bën thirrje kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifajt që të merret me këtë çështje, ndërkaq në anën tjetër thotë se do bëjë të pamundërën me shokët e tij për klubin rahovecas.

Postimi i plotë i Rexhës:

“DEKLARATË PËR QYTETIN

Me shqetësim kam marrë njoftimet në rrjetet sociale dhe nga shokët e mi për zhvillimet e fundit që kanë çuar në dorëheqjen e bordit të KB Rahoveci.

Sipas informatave që kam deri në këtë moment, kjo dorëheqje vjen pasi kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, nuk mbajti fjalën për shumën financiare për të mbështetur klubin, gjë që ka pamundësuar fillimin e sezonit të ri.

I bëj thirrje kryetarit të komunës, Smajl Latifi, si kapiten i ekipit, si shok e za i qindra talentëve dhe gjithë rinisë e qytetit që mezi presin lojërat e klubit – që sa më shpejt të reagojë dhe të ofrojë mbështetjen e zotuar financiare dhe bordi i dorëhequr të kthehet në funksionet e mëparshme. KB Rahoveci s’ka kohë për të humbur!

Ka muaj që me djemt tjerë, Visarin, Altinin, Indritin, Ahmetin etj, po bëhemi gati për sezonin e ri – dhe kështu ua bëj të gjithëve me dije se sa të jem unë dhe shokët e mi gjallë KB Rahoveci nuk do jetë vet dhe jemi në gjendje të luajmë për klubin tonë në çdo formë që kërkohet dhe të vdesim në parket!

I bëj thirrje kryetarit Smajl Latifi që deri në fillim të javës tjetër të takohet me kryetarin e klubit Alban Rama dhe të bëhen përgatitjet për sezonin e ri – në të kundërtën do të ketë reagim të madh qytetar, gjë me të cilën s’duam të humbim kohë.

Na lejoni të ëndërrojmë, kemi punë pa kry – trofe në Rahovec me pru! Bardhi Rexha,Kapiten i KB Rahovecit”.