Barcelona është në “zor” me Messin, ka veç dy zgjidhje

Lionel Messi dhe Barcelona duket se nuk do të ndahen në paqe ashtu si ishin në 16 sezone në La Liga.
Konflikti në mes të gjashtë herë Topit të Artë dhe klubit katalonas ka ardhur në atë fazë sa që do të shkoj përmes gjykatave.
Argjentinasi nuk ishte i pranishëm në qendrën stërvitore të klubit ku ishte paraparë të kryente testet për koronavirus.
Duke qenë se, sipas klubit, 33-vjeçari është nën kontratë, futbollisti duhet t’i zbatojë të gjitha obligimet duke përfshirë edhe testimin.

Derisa ekipi i avokatëve të tij konsideron se pas kërkesës për t’u larguar, lojtari nuk është më i obliguar që t’i zbatojë detyrimet.
Me mosshfaqjen për testim, automatikisht ai nuk do të marrë pjesë as në stërvitjet e të hënës që janë caktuar për orën 17:30.
Pas këtij veprimi të superyllit argjentinas, Barcelona i ka dy opsione që mund t’i ndërmarrë në ditët në vijim: I pari, ta gjobitë Messin për shkelje të pikave të kontratës së tij duke mos u paraqitur në pune dhe i dyti, të fillojë me procesin për lirimin e lojtarit nga kontrata.

Njëherësh, në pozitë të palakmueshme është vënë presidenti Josep Maria Bartomeu, duke qenë se ai nuk dëshiron të mbahet mend si presidenti që e shiti lojtarin më të mirë në histori të klubit.
Në ndërkohë, futbollisti dhe ekipi i tij ligjor shpresojnë ta zgjidhin këtë çështje në mënyrë miqësore pa pasur nevojë që të shkojnë nëpër gjykata. /IndeksOnline/