Për gjashtë muaj në Gjilan u konfirmuan 899 raste pozitive me COVID-19, 39 prej tyre humbën jetën

Komiteti i emergjencave për parandalimin e COVID-19 në Gjilan, ka analizuar gjendjen e 24 orëve të fundit dhe apelon për kujdes maksimal dhe respektim të masave mbrojtëse.
“Në bazë të statistikave të IKSHPK, Komuna e Gjilanit nga 899 raste të përgjithshme pozitive që kishte për periudhën gjashtë mujore, 708 prej tyre janë shëruar plotësisht, 152 raste janë aktive ku 37 janë të hospitalizuar, derisa 39 pacient kanë humbur jetën.Komiteti i emergjencave dhe Komuna e Gjilanit vazhdimisht apelon te qytetarët që të kenë kujdes maksimal në respektimin e masave, sepse është e vetmja mënyrë e normalizimit të gjendjes me Covid-19”, thuhet në njoftimin për media, transmeton Indeksonline.
Tutje theksohet se bashkërisht anëtarët e komitetit kanë drejtuar kërkesën e përgjithshme për një përkushtim strikt të të gjithë qytetarëve dhe sektorit publik e privat, që rekomandimet e mjekëve ti konsiderojnë një shpresë për normalizim të gjendjes, e veçanërisht kur së shpejti pritet të filloj mësimi dhe në mbarëvajtjen e tij, e domosdoshme është masat mbrojtëse, maskat, dezinfektuesit dhe distanca sociale.