75 Mall Live Search
12:45 / E Premte, 11 Shtator 2020 / indeksADMonline

Kurti kujton sulmet e 11 shtatorit, vlerëson afërsinë shqiptaro-amerikane

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka përkujtuar sot sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001.

Kurti midis tjerash ka përmendur edhe tre viktimat shqiptarë, për të cilët vlerëson që “u bënë shprehje shtesë e afërsisë shqiptaro-amerikane”.

“Kullat Binjake nuk janë më, por Kulla e Lirisë, edhe më e lartë, është aty tani” mbyll Kurti shkrimin e tij në Facebook.

Statusi i plotë:

Që nga viti 2001, në ditën e 11 shtatorit, kujtojmë e nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e të vrarëve dhe mbarë kombin amerikan. 2977 viktimat e pafajshme dhe mijëra të tjerë të plagosur e të lënduar janë pasoja e paharrueshme e terrorizmit i cili kurrë nuk mund të ngadhënjejë.

Në mesin e viktimave ishin edhe tre shqiptarë, që u bënë shprehje shtesë e afërsisë shqiptaro-amerikane, në çdo rrethanë dhe kohë.

Terrori i 11 shtatorit la vrragë të thellë, por, më shumë bashkoi sesa që ndryshoi botën.

Kullat Binjake nuk janë më, por Kulla e Lirisë, edhe më e lartë, është aty tani.