Me masa anticovid e çantat plot libra, nxënësit u kthehen shkollave

Në shumë shkolla të Kosovës sot ka nisur faza e parë e vitit të ri shkollor.
Pas disa muajve pushim, nxënësit sot po i kthehen mësimit të rregullt, por me masa anti-covid.
Bazuar në vendimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-21 në kushte pandemie, ora e parë e mësimit, në të gjitha shkollat e Kosovës, do t’i kushtohet informimit dhe vetëdijesimit të nxënësve lidhur me pandeminë covid-19.
Mësimi ka filluar edhe në njërën prej shkollave në kryeqytet “Faik Konica” ku fëmijët janë parë duke u futur brenda si dhe nuk kanë munguar edhe shenjat që përkujtojnë mbajtjen e distancës, shkruan Indeksonline.
Gjithashtu ajo që bie në sy edhe këtë herë janë çantat të mbushura plot e të rënda të cilat barten nga fëmijët, e që shpesh herë u panë si problem i madh për fizikun e tyre.

MASHT-i, ka propozuar që më 14 shtator të fillojnë mësimin klasat 0, 1, 2, 3, 6, 10 në të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës. Klasat 4 dhe 5 të fillojnë mësimin tërësisht në shkollë ose me mësim të kombinuar, varësisht nga kapaciteti i shkollës, vlerësuar nga DKA-ja dhe institucionet arsimore. Ndërsa, në fazën e dytë, më 21 shtator, të fillojë mësimi me mësim të kombinuar për klasat 7, 8, 9, dhe 11, 12, duke vijuar mësimin dy ditë në shkollë dhe tri ditë online (në distancë).
Të gjithë janë të obliguar të bartin maska dhe MASHT-i ka ndarë rreth një gjysmë milioni maska në shkolla në Kosovë.

Përpos maskave të siguruara nga DKA-të, partnerët, donatorët dhe vetë shkollat, MASHT-i dhe Qeveria e Kosovës ka ndarë dhe ka planifikuar një pjesë të buxhetit për maska, mjete të tjera mbrojtëse dhe dezinfektuese, kështu që shkollat do të kenë fond rezervë të maskave, ka bërë të ditur MASHT-i.
Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se do të jetë shumë strikte në vlerësimin e masave, respektimin e udhëzuesve e protokolleve për të ngritur disiplinën dhe për ta ruajtur shëndetin e fëmijëve, mësimdhënësve dhe të qytetarëve të Kosovës.

Edhe IKSHPK-ja ka theksuar se rëndësinë e respektimit të tri rregullave themelore gjatë procesit mësimor, sikurse janë mbajtja e maskës, distancës dhe higjienës.
Ndryshe, procesi mësimor në shkolla të Kosovës është mbajtur në formë online që nga shpërthimi i pandemisë me koronavirusin në muajin mars.