Gjermania dhe Franca planifikojnë të zhvillojnë një aeroplan evropian dhe një dron zbulimi

Ministrat e Mbrojtjes të Gjermanisë dhe Francës kanë bërë të ditur se do të përshpejtojnë zhvillimin e një avioni të ri ushtarak evropian, si edhe të një dron-zbulimi, përmes projektit “Future Combat Air System” (FCAS).
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer dhe homologia e saj franceze, Florence Parly, vizituan sot një kompleks “Airbus” në Maching, në Gjermaninë jugore, ku aktualisht po kryhet një studim koncept për sistemin, raporton ATSh.
“Sistemi do të lejojë avionët luftarakë të shoqërohen nga dronët dhe sistemet e lëshimit, duke zëvendësuar flotën aktuale gjermane “Eurofighter” dhe avionët “Rafale” të Francës”, thanë ministret.
FCAS pritet të jetë gati për operacione duke filluar nga viti 2040, ndërsa Spanja është, gjithashtu, një palë e tretë në këtë projekt.
Ekspertët kanë vlerësuar se zhvillimi i sistemit do të kushtojë rreth 8 miliardë euro (8.9 miliardë dollarë). Prokurimi dhe funksionimi i sistemit mund të arrijnë 100 miliardë euro.