Ministrja Haradinaj Stublla takoi ambasadorin e ri zviceran Kolly, e njofton me Marrëveshjen e Uashingtonit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj Stublla, ka pritur në takim njoftues ambasadorin e ri të Konfederatës së Zvicrës në Prishtinë, Thomas Kolly, me të cilën ka bizeduar për zhvillimet politike në Kosovë e rajon, në veçanti për Marrëveshjen e Uashingtonit, si dhe për intensifikimin dhe thellimin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
“Sot mirëprita në Ministri, Ambasadorin e ri të Zvicrës në Kosovë, z.Thomas Kolly, të cilin e njoftova me zhvillimet politike, për Marrëveshjen e Uashingtonit, si dhe zotimet e Kosovës për paqe e stabilitet në rajon, të cilat i hapin rrugën njohjes së ndërsjellë në kufijtë ekzistues midis Kosovës e Serbisë”, tha Ministrja Haradinaj Stublla.

Kryediplomatja Haradinaj Stublla falënderoi Ambasadorin Kolly për mbështetjen e zëshme të Zvicrës në të gjitha proceset shtetndërtuese, në veçanti përkrahjen për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.
“U dakorduam për rëndësinë e dialogut konstruktiv për ndërtimin dhe zhvillimin e rajonit, dhe njëherësh falënderova Ambasadorin për ndihmën e madhe të Zvicrës, si shtet i veçantë mik, në mbështetje të proceseve të shtetndërtimit të Kosovës, integrimit evropian dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar”, tha shefja e diplomacisë së Kosovës.