Uniteti politik i shqiptarëve ndaj Serbisë

Presidenti Hashim Thaçi por dhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama reaguan ndaj deklaratave fashiste të Qeverisë së Serbisë.
Uniteti midis Presidencës, Kryeministrisë, kryeparlamentares e kreut të opozitës, është një tregues se politika kosovare nuk ka humbur fokusin se përballet me një politikë fashiste të Serbisë – shkruan Indeksonline.
Presidenti Thaçi e kryeministri Hoti e quajtën këtë një mendësi fashiste në raport me Republikën e Kosovës.
Kryeparlamentarja Osmani tha se Serbia po e tregon qartë se po i fsheh krimet e luftës.
Kurse kreu i opozites, Kurti, tha se është një gabim të amnistohet presidenti Vuciq – raporton Indeksonline.
Nga Tirana erdhi reagimi i kryeministrit të Shqipërise Edi Rama.
Me gjithë kritikat që mori për miqësinë me Vuciq, kreu shqiptar i qëndroi afër kolegëve të tij kosovarë, pas valës së këtyre ditëve të neofashizmit serb.
Nga ana tjetër, ky unitet politik ka dhënë rezultat, duke nxjerr nga heshtja Bashkimin Evropian.
BE-ja e cila rrallë ndërhyn, përmes një deklarate ka kërkuar që palët të qetësohen dhe të mendojnë për BE-në, sepse duhet të përmbushin kriteret si forcimi i raporteve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal – ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
Në takimin e Washingtonit, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq u pajtuan për pakon e marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve, që nënkupton dhe njohjen reciproke siç kërkon pala kosovare – kujton Indeksonline.
Por një muaj pas këtij takimi që u quajt historik, nëpërmjet një interviste, u publikua deklarata skandaloze ku ministri i Jashtëm Ivica Daciq, kërkon të mos tregohet vendndodhja e varreve masive me shqiptarë – gjatë luftës në Kosovë.
Kurse ministri i Mbrojtjes i Qeverisë së Serbisë Aleksandër Vulin, përmes paraqitjeve publike po fyen shqiptarët, duke i quajtur me emra pezhorativë.
Presidenti Vuçiq ka mbrojtur politikën fashiste të Qeverisë së Serbisë duke thënë se askush nuk mund ta poshtërojë Serbinë.