75 Mall Live Search
17:33 / E Hënë, 08 Qershor 2026 / F.R

“Na duhet një partner i fortë”: Ndërkombëtarët kërkojnë formim të shpejtë të institucioneve

Një ditë pas zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë, vëmendja e partnerëve ndërkombëtarë u përqendrua te nevoja për formimin e shpejtë të institucioneve të reja.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë theksoi rëndësinë që Kosova të ketë institucione plotësisht të mandatuara dhe të qëndrueshme, “pa asnjë vonesë të mëtejshme”.

“Na duhet një partner i fortë me të cilin mund të punojmë. Progresi në rrugën drejt integrimit në BE varet nga të gjithë aktorët politikë që t’i lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të punojnë së bashku në interesin më të mirë të vendit”, thuhet në deklaratë.

Ngjashëm, edhe Ambasada e Italisë në Prishtinë shfaqi shpresën se negociatat paszgjedhore do të çojnë në formimin e shpejtë të institucioneve të reja, duke siguruar stabilitetin e nevojshëm për vazhdimin e reformave dhe adresimin e prioriteteve të qytetarëve.

“Ne i inkurajojmë të gjithë udhëheqësit politikë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të punojnë së bashku për të mirën e vendit dhe të ardhmen e tij”, thuhet në deklaratën e Ambasadës italiane për Radion Evropa e Lirë.

“Koalicionet janë pjesë e normalitetit demokratik”

Analisti i Këshillit për Demokratizimin e Politikave në Bruksel, Toby Vogel, thotë se çdo vështirësi që mund të hasë Lëvizja Vetëvendosje në formimin e qeverisë së re, është pjesë normale e procesit demokratik dhe jo shenjë e mosfunksionimit institucional.

Ai sjell shembullin e Belgjikës, ku formimi i qeverive pas zgjedhjeve shpesh zgjat me muaj apo edhe vite, për shkak të nevojës për koalicione.

“… meqë asnjë parti nuk ka mjaftueshëm vota për të formuar qeverinë e vetme, partitë detyrohen të hyjnë në koalicione me forca që nuk janë domosdoshmërisht ideologjikisht të afërta. Kjo është normale”, thotë Vogel.

Ndryshe, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, doli e para në zgjedhjet e 7 qershorit me 42.91 për qind të votave.

Pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës me 21.08 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.60 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.17 për qind dhe Lista Serbe me 6.17 për qind.