Zemaj thotë se do të angazhohen edhe 375 mjekë në spitale, për Covidin-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë një vizite sot në Klinikën e Onkologjisë, ka bërë të ditur se këtë janë do të angazhohen edhe 375 profesionistë shëndetësorë, të cilët në muajt në vijim do të jenë kapacitete shtesë në institucionet spitalore, për Covidin-19.
Me këtë rast Zemaj tha se pret angazhim shtesë kundër kancerit të gjirit, shkruan IndeksOnline.

Njoftimi:
Bashkë me kryetaren e grupit të grave deputete, znj. Vlora Limani Hajnuni dhe dr. Valbon Krasniqin, u.d. drejtor i SHSKUK-së me stafin drejtues, vizituam klinikën e Onkologjisë, folëm për hapat që do të ndërmarrim gjatë vjeshtës për ta menaxhuar situatën epidemiologjike.
Diskutuam për furnizimet me barna të listës esenciale por edhe me terapitë e reja, programet e parandalimit dhe aparaturat që i dedikohen identifikimit të hershëm të kancerit të gjirit.
Në këtë muaj të ndërgjegjësimit, pres angazhimin shtesë kundër kancerit të gjirit. Si hap parandalues po i sigurojmë vaksinat kundër gripit sezonal.
Po ashtu, në përpjekjet tona kundër Covid-19 këtë javë po angazhojmë edhe 375 profesionistë shëndetësorë, të cilët në muajt në vijim do të jenë kapacitete shtesë në institucionet spitalore, në mënyrë që ta tejkalojmë sa më lehtë këtë situatë.
Shfrytëzova rastin për t’i falënderuar mjekët dhe stafin shëndetësor të cilët në këtë kohë të vështirë vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie 24 orë dhe në vijën e parë të frontit në përballje me pandeminë.
Bashkë do t’ia dalim!

