30 ditë paraburgim për mjekun, që ia ndërpreu shtatzënësinë 14-vjeçares së dhunuar

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të dyshuarin A.G., në kohëzgjatje prej 48- orësh, pasi dyshohet të ketë kryer veprat penale “Ndërprerja e palejuar e shtatzënësisë’’ dhe ‘’Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndaj tij, sot nga prokurori i rastit është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, nga Gjykata kompetente në Gjilan.
Ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari A.G., më 15 shkurt 2020, në cilësinë e mjekut gjinekolog, në ordinancën e tij në Prishtinë, në kundërshtim me Ligjin për ndërprerjen e shtatzënësisë, pa pëlqimin e së dëmtuarës së mitur, nën moshën 14-vjeçare dhe pa pëlqimin e prindit apo kujdestarit, ka ndërprerë shtatzënësinë e së miturës, duke e dëmtuar rëndë shëndetin e saj.
Gjithashtu, i dyshuari me rastin e kontrollimit mjekësor gjinekologjik të së miturës, nuk e ka lajmëruar veprën penale të dhunimit, të cilën e ka zbuluar ushtrimit të detyrës së tij.
Gjithashtu, për këtë rast sipas kërkesës së prokurorisë, dy persona gjenden nën masën e paraburgimit, pasi dyshohen se kishin dhunuar të miturën nën moshën 14-vjeçare, e cila më pas edhe kishte abortuar. Po ashtu, në këtë rast është përfshirë edhe një mjek gjinekolog, i cili nuk kishte lajmëruar rastin atëherë kur e mitura ishte kontrolluar në ordinancën e tij.