Një hap para drejt krijimit të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, përmes një postimi në faqen zyrtare FB ka thënë se në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka propozuar emrat e grupit punues për Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.
Ky është njoftimi i Selimit:
Që nga fillimi i mandatit tim kam shprehur përkrahjen time për krijimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, andaj dhe sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, propozova emrat e grupit punues.
Ky grup do të na tregojë se si do të mund të krijojmë Institutin për të cilin Kosova ka nevojë të mbajë memorie si institucionale ashtu edhe kolektive.
Poashtu në mbledhjen e ekzekutivit e aprovuan emrat e rijnë të Komisionit të Jurisprudencës.
Në kuadër të mbledhjes nuk kam votuar për shuarjen e Task-Forcës Kundër Korrupsion, pasi që mendoj se na duhet një planifikim më i mirë në bazë të rishikimit funksional, por edhe të mosdëmtojmë disa nga rastet e profilit të lartë që janë pjesë e Task-Forcës.