75 Mall Live Search
19:01 / E Enjte, 22 Tetor 2020 / Blerim

Selimi: Pas përhapjes së COVID-19, puna e gjykatave të Kosovës është zvogëluar ndjeshëm

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka marrë pjesë në Forumin Ministror ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, për punë të drejtësisë të kryesuar nga Ministrja e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve së Republikës Federale të Gjermanisë znj. Christine Lambrecht.

Në këtë Forum, është diskutuar për ndikimin e pandemisë COVID-19 në sistemin e drejtësisë dhe të drejtat themelore, përdorimi i teknologjisë së komunikimit në distancë (video-konferencë) dhe qasja në drejtësi në epokën digjitale, si dhe sundimi i ligjit dhe reformat gjyqësore.

“Pas përhapjes së Covid-19, puna e gjykatave të Kosovës është zvogëluar ndjeshëm. Për shumë javë pas kësaj, të gjitha seancat gjyqësore jo urgjente u shtynë dhe ato që u mbajtën u nënshtroheshin kufizimeve paraprake.  Pas izolimit fillestar në mars, gjykatat u rihapën gradualisht dhe seancat u ri-planifikuan, megjithëse me masa të reja të vendosura nga mesi i korrikut 2020”, theksoi Selimi.

Gjatë këtij Forumi, ministri Selimi tha se Pandemia COVID-19, ka ndikuar edhe në qasjen fizike në drejtësi por sipas tij, është siguruar që masat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës të mos sjellin kufizime dhe bllokim të punës në sistemin e drejtësisë.

Njëra nga këto masa sipas ministrit Selimi, është mbajtja e seancave gjyqësore duke përdorur teknologjitë e komunikimit në distancë, të cilën e kanë praktikuar edhe disa prej gjykatave në Kosovë.