75 Mall Live Search
16:27 / E Martë, 27 Tetor 2020 / Blerim

Ministri Quni vizitoi organizatën e njohur ndërkombëtare të deminimit

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni vizitoi sot, Organizatën për Mbështetjen e Jetërave në Zonat e Rrezikshme (Hazardous Area Life-support Organization), të njohur si,  “The HALO Trust”, Programi në Kosovë.

Me këtë rast, ministri Quni u prit nga menaxherja e “HALO Trust”, Olivia Meader,  e cila e njoftoi ministrin Quni me misionin e organizatës, aftësitë dhe kapacitetet operacionale të angazhuara në programin për Kosovë që nga viti 1999 si dhe strategjinë për të ardhmen.

Ministri Quni shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për kontributin e madh të “HALO Trust” – Programi në Kosovë, në misionin e tyre që nga paslufta, në mbrojtjen e jetërave të qytetarëve tanë, duke eliminuar dhe minimizuar vatrat potencialisht të rrezikshme nga minat dhe mjetet tjera eksplozive të pashpërthyera të mbetura nga lufta e fundit, thuhet nw njw njoftim tw kwsaj ministrie.

Gjithashtu, ai vlerësoi lart edhe kontributin e madh të personelit të saj në edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve rreth minave tokësore dhe mjeteve tjera eksplozive të pashpërthyera si dhe rikthimin e qëndrimin e sigurt në vendbanimet e tyre.

Ministri Quni, theksoi si shumë të rëndësishëm edhe bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë të HALO Trust me Qendrën Koordinuese të Deminimit të FSK-së, si dhe mbështetjen e pandërprerë profesionale me përvojën operative të tyre për kontingjentin e Kompanisë së Deminimit të FSK-së me zotimin e përbashkët me znj.Meader për thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.

Në fund, ministri Quni shprehu respektin e madh për misionin 32 vjeçar të HALO Trust me programe të veçanta në pjesën dërmuese të zonave post-konfliktuoze në shërbim të miliona jetërave civile anekënd Botës.