Ministrja Dumoshi ngushëllon familjen Devoli, me rastin e vdekjes së artistit Koço Devolle

Me dhimbje mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të artistit të mirënjohur shqiptar Koço Devole. Jam e prekur thellësisht nga kjo humbje e madhe për familjen, miqtë e dashamirët dhe për komunitetin artistik në Shqipëri, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Kulturës.
“Koço Devole qe me plot të drejtë një nga personalitetet më të njohura të humorit shqiptar. Përveçse aktor i shkëlqyer humori, qe karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Rolet e tij në skenë dhe ekran janë nga më të njohurit për publikun shqiptar”, thuhet ndër të tjera në këtë telegram ngushëllimi.
Ministrja Dumoshi ka theksuar se ikja e tij e beftë dhe e padrejtë e kësaj kohe të vështirë të cilën po e jetojmë, lë boshllëk të pazëvendësueshëm në artin e kulturën shqiptare në përgjithësi.
“Me nderimin më të madh për kontributin dhe trashëgiminë e pavdekshme artistike të tij i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve, artdashësve dhe atyre që patën nderin ta njohin”, përmbyllet telegrami i ngushëllimit.