75 Mall Live Search
13:51 / E Martë, 10 Nëntor 2020 / OSH

Ideja e Haradinajt përkrahet, edhe Vjosa Osmani kërkon ndërprerjen e dialogut

Ushtruesja e detyrës e presidentit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për DW-në, ka thënë se nuk është momenti të vazhdojë dialogu me Serbinë, pas zhvillimeve të fundit në vend.

“Unë mendoj se për shkak të zhvillimeve aktuale tani nuk është momenti që të vazhdojë dialogu menjëherë. Dhe duhet që institucionet e Kosovës të marrin pak kohë, të ulemi, të konsultohemi ndëmjet vete, të krijojmë një qëndrim shumë më të unifikuar rreth dialogut, sepse është e domosdoshme që kushdo që negocion në emër të Kosovës, për fatin e Kosovës, të ketë një qëndrim shumë më të unifikuar të spektrit politik se sa vetëm të koalicionit që përfaqëson. Unë do të jap kontributin tim maksimal në këtë drejtim, që të diskutojmë së bashku me të gjithë, lidhur me atë se cilat do të duhet të ishin qëndrimet e Kosovës”, ka thënë Osmani në këtë intervistë.

Kjo ide fillimisht është prezantuar nga Ramush Haradinaj. AAK-ja pas mbledhjes urgjente të kryesisë, më 5 nëntor, kishte kërkuar, veç tjerash, që të ndërpritet dialogu me Serbinë.
Sipas deklaratës, AAK-ja kishte kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë për gjendjen e krijuar pas ngritjes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara. Në këtë deklaratë, gjithashtu është kërkuar që Qeveria të ndërpresë menjëherë të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re.

Deklarata e Osmanit është një shenjë e mirë se spektri politik kosovar po shkon drejt unifikimit për temat e mëdha pas zhvillimeve me Gjykatën Speciale, një kërkesë kjo e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.