75 Mall Live Search
13:12 / E Enjte, 12 Nëntor 2020 / OSH

Arrihet marrëveshja për përdorim e rrugëve që kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit

Me ndërmjetësim të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe me mbështetjen e ambasadorit të Italisë, Nicola Orlando e të komandantit të KFOR-it, gjeneral Michele Risi,  u arrit marrëveshja për projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rrugëve, të cilat kalojnë nëpër zonën e veçantë të mbrojtur të manastirit të Deçanit.

Kjo marrëveshje është rezultat i diskutimeve disamujore, por konstruktive dhe frytdhënëse, midis Komunës së Deçanit dhe përfaqësuesve të kishës ortodokse – manastirit të Deçanit.

Mekanizimi i përhershëm i implementimit dhe mbikëqyrjes (Këshilli i implementimit dhe mbikëqyrjes) mbështetur në Ligjin për zonat e veçanta të mbrojtura (nr. 03/L-039) ka miratuar termat e kësaj marrëveshjeje dhe kështu u është dhënë drita e gjelbër veprimeve të dakorduara për implementim.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka qenë i përkushtuar që në fillim që të ndihmonte në gjetjen e zgjidhjes sa më të mirë dhe të pranueshme, e cila ndihmon lëvizjen e lirë të qytetarëve, si liri e garantuar, por edhe të respektojë dhe të mbrojë trashëgiminë religjioze dhe kulturore të asaj zone.

Me arritjen e kësaj marrëveshjeje, dëshmohet se Republika e Kosovës  është vend i të barabartëve, liritë dhe të drejtat e të cilëve respektohen dhe mbrohen njësoj.