Ramosaj thotë dy fjalë rreth ndërtimit të rrugës Deçan – Plavë

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se me marrëveshjen e arritur së fundi për rrugën që kalon nëpër zonën e manastirit të Deçanit, do të vazhdojnë punimet për shtrimin e saj.
“Sipas kësaj marrëveshjeje, Komuna e Deçanit do të procedojë me rehabilitimin-shtrimin e rrugës së Gushavcit dhe asaj të manastirit, në trasetë e tyre ekzistuese, si rrugë lokale, duke e përfshirë këtu edhe transportin e mallrave dhe kafshëve si nevoja të banorëve dhe familjeve që shfrytëzojnë bjeshkët përgjatë grykës së Deçanit”, është shprehur ai.

“Me të njëjtën dinamikë të sinkronizuar, do të rehabilitohet edhe rruga e bypass, duke i dhënë fund një bllokade të paqenë të refuzimit të paarsyeshëm të ndërtimit të rrugës, hapjen e perspektivës ekonomike lokale, realizimit të lirisë së lëvizjes për banorët e Deçanit veçanërisht, dhe lidhjes ndërkombëtare ndërshtetërore me Plavën”.
Ai ka theksuar se me këtë marrëveshje ka marrë fund bllokada e paqëndrueshme rreth ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë.