75 Mall Live Search
16:53 / E Martë, 17 Nëntor 2020 / Blerim

Tahiri: Liria kurrë nuk u mund nga tytat e topave të Serbisë në të kaluarën, nuk mundet as në përpjekjet e sotme

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka reaguar pas shkatërrimit të banerit “Liria ka emër” në Graçanicë.
Ish-ministri i Drejtësisë ka thënë se kjo është shenjë që edhe sot e kësaj dite në Kosovë, Serbia ende investon në provokim e nxitje të kauzave të saj mbi kurrizin e lirisë sonë.

“Liria kurrë s’ka mund të digjet e ndalohet si fakt e si proces, nga tytat e topave të Serbisë në të kaluarën. Ajo nuk mund të digjet e ndalohet si simbolikë as sot nga përpjekjet tinëzare të Beogradit”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka thënë se djegia e materialit simbolik, apelues e manifestiv të një prej kauzave më të ndritura politike të qytetërimit në përgjithësi dhe kombit tonë në veçanti, siç është liria, për më tepër në një ambient publik e të destinuar për publikim, është shenjë se në Kosovë edhe sot e kësaj dite Serbia investon në provokim e nxitje të kauzave të saj mbi kurrizin e lirisë sonë.

“Përkundër se në shoqërinë tonë multietnike, secili komunitet kultivon hapur e pa pengesë simbolet e veta të veçanta, djegia e banerit simbolik të lirisë si vlerë e përbashkët e të gjithëve, është fyerje dhe tendencë për ta përbuzur një të vërtetë që s’mund të përbuzet”, ka shkruar ndër të tjera Tahiri.