Veliu: Serbia po grumbullon dhe transporton migrantët deri në afërsi të kufirit me Kosovën

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu i është drejtuar përmes një letre publike, Shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësues special i BE, ambasadorit, Tomáš SZUNYOG.
Në fillim të kësaj letre, ministri Veliu vë në dukje se viteve të fundit, Republika e Kosovës dhe shtetet tjera të Evropës Juglindore, janë ballafaquar me një numër të shtuar të migrantëve të parregullt, të cilët në të shumtën e rasteve Kosovën e përdorin si një vend trazit, për të arritur deri tek vendet e BE-së.
“Jemi të vetëdijshëm se numri i migrantëve të parregullt ka shënuar një rritje të dukshme. Kjo rritje ka qenë sfidë për shtetin tonë, megjithatë, institucionet e Republikës së Kosovës kanë ngritur të gjitha kapacitetet e nevojshme për menaxhimin sa më të mirë të ndonjë fluksi të mundshëm me migrantë. Pavarësisht vështirësive të paraqitura,
Qeveria e Republikës së Kosovës ka trajtuar dhe vazhdon t’i trajtoj në mënyrën më njerëzore, si dhe t’u ofroi migrantëve të gjitha kushtet e nevojshme, në harmoni me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet më tej në letrën e ministrit Veliu.
Ministri Veliu vë theksin se përgjatë viteve të fundit, jemi duke hasur në raste kur autoritetet serbe në mënyrë të organizuar grumbullojnë dhe më pas i transportojnë migrantët deri në afërsi të kufirit me Republikën e Kosovës, me qellim që të njëjtit të kalojnë përmes rrugëve ilegale në territorin e Republikës së Kosovës.