23:24 / E Hënë, 30 Nëntor 2020 / OSH

Ahmeti për tubimin e LVV-së në Podujevë: Ishte situatë brengosëse për Covid, përfshi edhe Prishtinën

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është shprehur i brengosur me tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje mbrëmë në Podujevë pas fitores në zgjedhje.

Sipas tij, askush s’do të mund t’i ndalte qytetarët që të mblidhen në Podujevë, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë:

Pa paragjykim e as komentim politik për zgjedhjet në Podujevë mbrëmë ishte situatë brengosëse për covid përfshi edhe Prishtinën.

Nuk mendoj se dikush do të mund të ndalte qytetarët të mblidhen në Podujevë, por rreziku më i madh ose rekomandimi i çdo agjencie shtetërore të shëndetit publik të shteteve – ekuivalente me IKSHP – është që mos të ketë turma me theks të veçantë në turmat me këndim për shkak të shpërndarjes së grimcave nga të infektuarit.

Shpresojmë në më të mirën por do ta dijmë pas dy javësh e tutje përfshi edhe Prishtinën duke konsideruar lidhjet e Prishtinës me Llapin. Edhe njëherë, nuk mendoj se dikush do të mund të ndalonte mbledhjën e qytetarëve!