Arben Fetahu shpall zgjedhjet në Federatën e Basketbollit të Kosovës, tregon se a do të kandidoj prapë?

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka shpallur zgjedhjet në këtë federatë.
Fetahu përmes një postimi në rrjetet sociale ka lajmëruar se megjithëqë kishte mundësi t’i shtynte zgjedhjet edhe për një vit, ai ka vendosur që këtë mandat ta përfundojë këtë vit, transmeton Indeksonline.
Ai, ka treguar se do të kandidojë përsëri dhe se më 18 dhjetor para delegatëve të Kuvendit të FBK-së do të shpalosë programin.
Postimi i plotë i Arben Fetahut:
Miq të nderuar, përkundër mundësisë për të shtyrë zgjedhjet në Federatën e Basketbollit të Kosovës edhe një vit, unë vendosa që ato t’i shpallim këtë vit, në pajtim me Statutin e Federatës dhe fjalën e dhënë se mandati im do përfundojë gjatë vitit 2020. Dua të falënderoj të gjithë anëtarët e Bordit të FBK-së, bashkëpunëtorët, stafin, sponsorët dhe përkrahësit për këto dy vite e gjysmë bashkëpunim, punë, mund dhe përkushtim, si dhe klubet e shoqatat e basketbollit për punën e palodhshme anembanë Kosovës për të mbajtur gjallë dhe avancuar basketbollin tonë.
Do jem përjetë krenar me arritjet tona të përbashkëta në të cilat shumë dyshonin. Na thanë se nuk mund të marrim organizimin e kampionateve evropiane e ne i morëm tri, na thanë se nuk mund të jemi pjesë e strukturave të FIBA e ne i morëm dy poste dhe ajo që është kryesorja, na thanë që nuk do na lejohet nga armiqtë tanë krijimi i Ligës Unike, si liga e parë mbarëkombëtare, e ne e krijuam nën praninë e kryetarit të FIBA-s Europe. Që dje veç është konfirmuar, falë përkrahjes së anëtarëve të federatës, se unë do jem kandidat për kryetar të FBK-së për mandatin e ardhshëm olimpik.
Prandaj, më 18 dhjetor 2020 do të shpalosi para delegatëve të Kuvendit të FBK-së programin dhe strategjinë zhvillimore për katërvjeçarin e ardhshëm dhe do të kërkoj besimin e tyre për ta shtyrë basketbollin e Kosovës drejt dimensioneve të reja. Na priftë e mbara!
Miq të nderuar, Përkundër mundësisë për të shtyrë zgjedhjet në Federatën e Basketbollit të Kosovës edhe një vit, unë…
Posted by Arben Fetahu on Monday, December 7, 2020