75 Mall Live Search
13:25 / E Mërkurë, 09 Dhjetor 2020 / OSH

Zyrtarja e infektuar me Covid19, lehonat tash e dy muaj mbesin pa paga

Tashmë dy muaj nuk është bërë procesimi i pagesave për disa lehona nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

IndeksOnline ka kontaktuar dikasterin, i cili udhëhiqet nga Skënder Reçica, dhe po ai ka treguar se zyrtarja e financave e cila harton listën e pagesave për lehonat është infektuar me Covid-19, andaj edhe janë shkaktuar vonesa.

Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, me Covid-19 pozitivë kanë dalë edhe disa zyrtarë të tjerë.

“Në muajin nëntor lista për pagesë  ka qenë në numër më të vogël se muajt e tjerë me përfituese të reja të P.L (49 përfituese) me arsyen e Zyrës së Punesimit Prishtinë se zyrtarja që harton listën e P.L dhe disa të tjerë ka qenë e infektuar me Covid-19 dhe nuk kanë arritur të shqyrtonin dokumentet përkatëse për përfitim. Prandaj është përcjell lista e përgjysmuar në numër”, thuhet në përgjigjen e MPMS-së dhënë IndeksOnlinet.

Pagesat për muaj janë realizuar në kohë më 23-24 të muajit,  për të gjithë përfitueset, të cilat janë vleresuar me vendim  për të drejtën si  përfituese të pushimit të lehonisë  nga komisioni vlerësues.

“Andaj për muajin në vijim konkretisht, më 20-22 do të procesohet pagesa e radhës, duke perfshirë në formë retroaktive përfitueset, që nuk kanë qenë të perfshira në muajin nëntor, d.m.th procesohet me dy pagesa”, thuhet në sqarimin e MPMS-së.

Ndryshe, përgjatë periudhës janar- nëntor 2020 kanë përfituar 2.920 perfituese të pagesës së pushimit të lehonisë, ndërsa buxheti i shpenzuar është  1.608.275.00 euro. /IndeksOnline/