Anëtarësimi i Kosovës në NATO – garancë për stabilitetin e rajonit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, zhvilloi sot një takim të frytshëm e shumë miqësor me anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, kryesuar nga znj.Mimi Kodheli, e cila sapo është zgjedhur edhe Zëvendës presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Në këtë takim u diskutua për situatën aktuale politike në Kosovë dhe rajon si dhe për nevojën e bashkërendimit të politikës së jashtme në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, duke avancuar interesat strategjike të të dyja vendeve si shtete të cilat rrugëtimin euroatlantik e kanë të paalternativë.
Duke marrë për bazë përvojën e gjatë në fushën e mbrojtjes, si ish Ministre e Mbrojtës dhe si Kryetare e Delegacionit parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, tema kryesore ishte avancimi i integrimit të Kosovës në NATO dhe mbështetja që në këtë drejtim mund të ofrojë Shqipëria dhe znj.Kodheli në veçanti, tani edhe si Zv/Presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Ministrja Haradinaj-Stublla tha se Kosova duhet të fillojë përgatitjet për avancimin e rrugës integruese të Kosovës në NATO si një nga top prioritetet e saj të politikës së jashtme dhe të vazhdojë rrugën drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik.