75 Mall Live Search
11:42 / E Enjte, 10 Dhjetor 2020 / Blerim

Musliu-Shoshi pyet minstren e Punëve të Jashtme për sigurimet shëndetësore për diplomatët dhe konsujt

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është duke u mbajtur seancë plenare.

Ishte deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ajo që pati një pyetje për ministren e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.

Kjo pyetje kishte të bënte me polisat e sigurimeve për diplomatët dhe konsujt, kjo bazuar në udhëzimin administrativ.

“Njëri nga diplomatët s’kishte qenë i siguruar dhe mbi 32 mijë euro është dashur t’i paguheshin për shërbime spitalore. A janë të gjitha diplomatët e akredituar me sigurime shëndetësore dhe cila kompani është kontraktuar?”, tha Musliu-Shoshi.

Ndërsa, Haradinaj-Stublla, tha se s’ka kompani të kontraktuar në MPJ, por që këtë do ta bëjë Ministria e Diasporës, përmes një kompanie ndërkombëtare.

“Rasti që i referoheni ka dalë nga Raporti i auditimit 2019 në kohën kur unë s’kam qenë ministre, por mund t’jua konfirmoj se rasti ka shkuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, më 10 shtator 2020”, tha ministrja e MPJ-së.

Ndryshe, udhëzimi administrativ nr.01/2010 për sigurimet shëndetësore në misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, neni 1 shkruan:

Qëllimi i këtij udhëzimi administrativ është sigurimi dhe pajisja me polisa të sigurimit shëndetësor të përfaqësuesve diplomatikë-konsullorë dhe anëtarëve të familjes së tyre të ngushtë, si edhe personelin vendor në shtetin pranues ku misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës janë të akredituara./Indeksonline