Analistët: Duhet marrëveshje politike për të shmangur zgjedhje të reja
Në kuadër të analizës zgjedhore pas votimeve të së dielës së 7 qershorit, është diskutuar për votat e diasporës, të cilat mund të ndikojnë në përbërjen e parlamentit të ri të Republikës së Kosovës, si dhe për zhvillimet aktuale politike në vend.
Analisti politik Sadik Zeqiri tha se është e domosdoshme nisja e dialogut ndërmjet partive politike për arritjen e një marrëveshjeje që do të shmangte zgjedhjet e reja.
“Kurti e ka thënë që duhet të fillojnë bisedimet me të gjitha subjektet politike për arritjen e një marrëveshje. Edhe zonja Haxhiu tha se nuk duhet të presim shumë dhe të fillojmë bisedimet seriozisht për të gjetur një zgjidhje”, u shpreh Zeqiri.
Ai shtoi se aktualisht ekzistojnë mundësi reale për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe sigurimin e shumicës parlamentare. “Prandaj, këto deklarata janë shpresëdhënëse dhe pritet që vendi të mos shkojë më në zgjedhje, por të zgjidhen institucionet dhe të arrihet ndonjë marrëveshje politike”, tha ai.
Sipas tij, një marrëveshje e tillë është e domosdoshme edhe për zgjedhjen e presidentit. “Tashmë dihen afërsisht numrat dhe cili subjekt me cilin subjekt mund të ketë numra të mjaftueshëm për t’i siguruar 80 votat për zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Zeqiri.
Ndërsa analistja Fatime Hajdari vlerësoi se nuk duhet përjashtuar asnjë opsion politik, por theksoi se një president partiak nuk do të ishte në interes të vendit. “Nuk e mendoj që Vjosa Osmani është e përjashtuar, por megjithatë ka pasur sinjale që një president partiak nuk do të ishte në interes të vendit”, tha Hajdari.
Ajo kritikoi qasjen e partive politike në raport me emrat e mundshëm për president. “Mendoj që është gabim nga Lidhja Demokratike e Kosovës nëse barrikadohet që tani pro një emri të caktuar”, u shpreh ajo.
Sipas saj, partitë duhet të tregojnë më shumë pjekuri politike në këtë proces. “Është në të drejtën e tyre që ata ta marrin këtë vendim, por nuk e shoh si pjekuri politike, sidomos prej një partie e cila është partia më e vjetër në Kosovë dhe ka një traditë për të zhbllokuar situata”, tha Hajdari.
Ajo shtoi se zgjidhja kërkon bashkëpunim ndërmjet partive kryesore. “Nëse ky ka qenë vendimi i tyre i fundit, atëherë mendoj që edhe zotit Kurti nuk i mbetet rrugë tjetër përveçse të shohë për bashkëpunime të tjera, e që nuk do ta përjashtonin as PDK-në e as AAK-në”, deklaroi ajo.
Hajdari vlerësoi se është e rëndësishme të mos humbet kohë në formimin e institucioneve. “Është inkurajues fakti që edhe kryeministri në detyrë, edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, zonja Haxhiu, kanë vullnet të mirë dhe flasin për një shpejtësi sa i përket këtyre”, u shpreh ajo.
Sipas Tahir Shabanit, ambasador i paqes, vlerësohet pjesëmarrja e qytetarëve në procesin zgjedhor, pavarësisht sfidave dhe përsëritjeve të zgjedhjeve.
“Përveç nga këndi i raporteve të subjekteve, unë përshëndes elektoralin e Kosovës që kanë dalë me dinjitet, kanë dalë në votime pavarësisht vështirësive dhe përsëritjeve të zgjedhjeve”, tha Shabani.
Ai theksoi se vëmendja kryesore duhet të përqendrohet në diplomacinë e jashtme dhe proceset integruese të Kosovës. “Duhet të fokusohemi në diplomacinë e jashtme”, u shpreh ai.
Shabani vlerësoi gjithashtu prezencën e Kosovës në samitet rajonale dhe rolin e saj në proceset ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një sinjal pozitiv për vendin. “Prezenca e presidentes, ushtruese e detyrës në samitet e Ballkanit Perëndimor, dhe pjesëmarrja e Kosovës në këtë situatë kur ne po kalojmë vështirësi, është shumë një sinjal pozitiv”, deklaroi ai.
Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të diplomacisë aktive drejt integrimit evropian. “Përshëndesim këto iniciativa që pavarësisht situatës, vështirësive, diplomacia duhet të vazhdojë, të veprojë drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Shabani./rtk/

