75 Mall Live Search
11:15 / E Mërkurë, 16 Dhjetor 2020 / OSH

5 komunat që prijnë për numrin e rasteve aktive me Covid dhe komuna që nuk ka asnjë rast

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë, në mars të këtij viti e deri tani janë shënuar 47 mijë e 203 raste pozitive me Covid-19, transmeton IndeksOnline.

Ndonëse edhe numri i të shëruarve ka arritur në 34 mijë e 637 raste, një numër i tyre vazhdon të jenë aktivë.

Në raportin e përditësuar nga IKSHPK-ja janë publikuar të dhënat të cilat tregojnë me saktësi numrin e rasteve aktive nëpër të gjitha komunat e Kosovës.

Në këtë listë, prijnë Prishtina, Mitrovica e Jugut , Fushë-Kosova, Podujeva e Gjilani.

Vetëm në Komunën e Prishtinës, janë 4901 raste aktive, ndërsa dukshëm më pak por në vendin e dytë pozicionohet komuna e  Mitrovicës së Jugut me 668 raste aktive.

Në vendin e tretë pozicionohet Komuna e Fushë-Kosovës që ka 634 raste me Covid.

Ndërsa vendin e katërt është e pozicionuar Komuna e Podujevës me 622 raste aktive.

Një pozitë më poshtë është Komuna e Gjilanit që ka 466 raste aktive, duke rrumbullaksuar kështu pesëshen e komunave me më së shumti raste aktive me Covid.

Nga ana tjetër brenda Kosovës ka edhe komuna që nuk kanë fare raste aktive me Covid. Bëhet fjalë për Komunën e Parteshit e cila nuk ka asnjë rast të vetëm aktiv.

Ndërsa një rast është në Komunën e Mitrovicës Veriore, e dy raste aktive janë në Komunën e Zveçanit. 3 raste aktive me Covid janë në Komunën e Ranillugut e banuar po ashtu me popullatë serbe.

Shtërpca e Leposaviqi janë dy komuna të tjera serbe e që kanë nga pesë raste. Ndërsa një komunë tjetër e Kosovës e banuar me shqiptarë ajo e Junikut, ka vetëm 7 raste aktive./IndeksOnline/