75 Mall Live Search
11:47 / E Mërkurë, 16 Dhjetor 2020 / OSH

SPERTK – Ramadanit: Nuk rregullohet RTK përmes formave që keni zgjedhur ju

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së i është kundërpërgjigjur deputetit të VV-së, Valon Ramadanit, shkruan IndeksOnline.

Përmes një komunikate shtypi kanë thënë se kanë ngitur zërin edhe kur ka pasur ndërhyrje në RTK edhe nga partitë e tjera, duke i sugjeruar Ramadanit të hulumtojë kërkesat e vërteta për RTK-në.

“Ju keni folur se si ne duhet të shqetësohemi nga ndërhyrjet politike, gjë të cilën e keni bërë vetë. Rasti fundit është dje me mocionin tuaj antikushtetues dhe joligjor, pastaj shqetësimi i vitit të kaluar – heqja e mbi dy milionë eurove, ku nga ky veprim do të mbeteshin mbi 800 punëtorë pa paga, e që shumica janë në kredi dhe nuk i kanë nga dy-tri vende pune, nuk marrin mëditje dhe nuk kanë asnjë lloj tjetër të të ardhurave”, thuhet aty.

Komunikata e plotë:

Kryesia e SPERTK-së

Përgjigje për deputetin e VV-së, Valon Ramadani

Sindikata e Punëtoreve e RTK-së përsëri i shtron disa pyetje për z. Valon Ramadani:

– Pse nuk merrni iniciativë për miratimin e Ligjit të ri të RTK-së, por e bllokoni sa herë që niset për miratim në Kuvend?

– Pse nuk e ndihmoni RTK-në ta ketë objektin e ri të punës, e dihet që kushtet ku punojmë nuk janë aspak të favorshme?

– Pasi ia doni të mirën RTK-së, pse nuk merrni iniciativë që objekti ku gjendet Radio Kosova t’i kalojë në pronësi RTK-së?

– Pse asnjëherë nga grupi juaj parlamentar nuk e keni ngritur çështjen e digjitalizimit të arkivave të RTK-së, pasuri kjo e pakthyeshme për Kosovën?

Ne e kemi ngritur zërin edhe kur ka pasur ndërhyrje në RTK nga partitë e tjera dhe të gjitha mund të evidentohen lehtë, me një kërkim në Google apo në faqen tonë në Facebook. Zoti Ramadani, nëse vërtet keni shqetësim për mediumin publik, ju filloni nga këto kërkesa që jua listuam, pastaj mund të shihni dhe hulumtoni të gjitha shqetësimet që i keni, duke i adresuar te organet kompetente.

Ju keni folur se si ne duhet të shqetësohemi nga ndërhyrjet politike, gjë të cilën e keni bërë vetë. Rasti fundit është dje me mocionin e juaj antikushtetues dhe joligjor, pastaj shqetësimi i vitit të kaluar – heqja e mbi dy milionë eurove, ku nga ky veprim do të mbeteshin mbi 800 punëtorë pa paga, e që shumica janë në kredi dhe nuk i kanë nga dy-tre vende të punës, nuk marrin mëditje dhe nuk kanë asnjë lloj tjetër të të ardhurave.

Z. Ramadani, nuk rregullohet RTK përmes formave që keni zgjedhur ju, por në bazë të ligjit aktual dhe ligjit të ri të RTK-së. Sindikata e Punëtoreve e RTK-së nga sot e tutje nuk do të jetë spektatore ndaj veprimeve kundërligjore të ndonjë partie politike, të cilat e dëmtojnë RTK-në dhe janë ndërhyrje direkte në veprimtarinë e saj. Ne do të përcjellim me vëmendje situatën e fundit dhe do të ndërmarrim hapa ligjorë dhe konkretë për ta parandaluar çdo tendencë për ndërhyrje në RTK. Ne jemi që të respektohet ligji dhe nuk mbështesim asnjë formë joligjore, por kundërshtojmë fuqishëm çdo tendencë për destabilizim e ndërhyrje në RTK. SPERTK e ka ripërsëritur se do të bashkëpunojë më të gjitha grupet parlamentare për të mirën e RTK-së, deri në momentin ku nuk cenohet pavarësia e saj.

Sindikata nuk e sheh asnjë parti politike si armike të RTK-së, por nuk mbron asnjë grup brenda apo jashtë mediumit që ka qëllim destabilizimin e tij, e nga këto veprime të përfitojnë individë të caktuar për të ardhur në krye të RTK-së.

Me respekt,

Kryesia e SPERTK-së

Prishtinë, 16.12.2020