Droga në parking të QKUK-së, antidroga arreston personin e katërt

Është arrestuar edhe personi i katërt në lidhje me drogën e cila u konfiskua të shtunën pasdite në parkimin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, raporton IndeksOnline.
Arrestimi i personit të shpallur në kërkim për posedim të substancave narkotike ka ndodhur të mërkurën, ndërsa pas intervistimit, me urdhër të prokurorit ai është dërguar në qendrën e mbajtjes deri në një vendim tjetër të organeve të drejtësisë.
Të shtunën, rreth orës 18:50 në një vendparkim të automjeteve në Prishtinë, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) e PK-së, pas një hetimi disamujorë përmes aplikimit të masave të veçanta të hetimit ka zhvilluar një operacion policor me ç’rast ka ndaluar tre persona nën dyshimin se kanë kryer vepër penale e sanksionuar me ligj, më saktë në bazë të nenit 267 të Kodit Penal të RKS-së “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Përveç tre të arrestuarve në flagrancë, policia kishte shpallur në kërkim edhe personin e katërt, i cili pas katër ditësh ka përfunduar në pranga.
Tre personat e arrestuar të shtunën nga antidroga, në momentin e ndalimit kanë qenë duke shkëmbyer sasi të substancës narkotike.
Në këtë operacion policor janë sekuestruar: Mbi 51 kg marihuanë, tri vetura, tetë telefona celularë, 980 euro dhe 30 franga para të gatshme./IndeksOnline/