Kërkesë e madhe e mërgimtarëve për t’u pajisur me letërnjoftim të Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik dhe
diasporën se ditëve të fundit ka pasur ngarkesë në sistemin e aplikimit për
marrjen e letërnjoftimëve dhe pasaportave dhe, për këtë menjëherë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për ta zgjidhur këtë problem.
Zyra e sekretarit të përgjithshëm të MPJD-së ka zhvilluar komunikime intensive me përgjegjësitë e sektorit për prodhimin e dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme për ta evituar këtë problem sa më shpejt, në mënyrë që qytetarët dhe mërgimtarët tanë të kryejnë pa probleme procedurat e paisjes së tyre me letërnjoftime dhe pasaporta të Republikës së Kosovës.
Udhëheqësit e sektorit për prodhimin e dokumenteve në MPB kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një problem të komplet rrjetit qeveritar, i cili ka ndikuar në këtë ngarkesë e që do të zgjidhet shumë shpejt.
Po ashtu, mungesa për një kohë e materialeve për prodhimin e këtyre
dokumenteve ka bërë që të ketë mbingarkim të sistemit, duke marrë parasysh se vetëm brenda pak ditësh janë prodhuar rreth 60.000 sosh.