75 Mall Live Search
16:33 / E Shtunë, 19 Dhjetor 2020 / OSH

Përfundojnë kërkimet për këtë vit për të pagjeturit

Instituti i Mjekësisë Ligjore, të premten, më 18 dhjetor, ka përfunduar gërmimet për mbetjet mortore në Kosovë për vitin 2020.

Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për Personat e Pagjetur tha se gjatë këtij viti në Kosovë janë kryer gërmime në disa lokacione, siç janë ato në varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës, në Suriganë, Polanë të Istogut, Stanaj të Gjilanit, Prizren e Rahovec.

Gara tha për Radion Evropa e Lirë, se nga gërmimet e bëra gjatë muajve të kaluar, janë gjetur me shumë se dhjetë persona.

“Nga gjithsej nëntë lokacione në të cilat është gërmuar, tetë prej tyre kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore të të paktën 11 personave, viktima të luftës”, tha Gara.

Identiteti i viktimave të gjetur më 2020 nuk është konfirmuar ende.

Po të premten, në Komunën e Prizrenit dhe të Rahovecit janë gjetur mbetjet mortore të dy personave.

“Informata për dy rastet e fundit janë prezantuar nga qytetarët. Prandaj është me rëndësi që informatat që kanë qytetarët, të njoftojnë autoritetet kompetente”, tha Gara.

Nga ana tjetër, Bajram Qerkini, drejtuesi i shoqatës “Zëri i prindërve”, shoqatë kjo e familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se autoritetet nuk po bëjnë sa duhet për gjetjen e personave të zhdukur nga Kosova. Sipas tij, mekanizmat përkatës, nuk po arrin të zbatojnë planet e parashikuar.

“Për të ardhmen duhet të ketë një plan i cili mund të realizohet. Thonë për shembull ‘nuk mund të realizojmë më shumë në rajonin e Mitrovicës’… le ta shkruajnë në letër, le të thonë ‘do të punojmë vetëm në një lokalitet’ e jo të japin premtime për disa vende. Njëzetenjë vjet të luajnë lojëra, herë në këtë anë e herë në atë anë, e në asnjërën të mos e përfundojnë punën, është mëkat i madh. Do të thotë, nuk e kanë seriozitetin aspak as vendorët, as ndërkombëtare më fare. Pse ndërkombëtarët ta kenë problem me planin tonë, kur nuk ka një vendim që thuhet se këtu [në një lokalitet] do të përfundojmë një herë e përgjithmonë një gërmim”, tha Qerkini.