Rasti i 50 kilogramëve drogë në parkingun e QKUK-së, arrestohet personi i katërt

Policia e Kosovës ka arrestuar personin e katërt, i cili është i dyshuari i radhës për rastin e 50 kg drogë, në vendparkimin e QKUK-së, në Prishtinë.
“Vendparkimi i QKUK-së, Prishtinë (NN) 12.12.2020 – 18:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka ikur nga vendi i ngjarjes. Lidhur me rastin është konsultuar Prokurori i Shtetit me vendim të të cilit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje”, njofton Policia e Kosovës, transmeton IndeksOnline.
Lidhur me këtë rast, pak ditë më parë Policia e Kosovës ka dhënë detaje.
Tre personat e dyshuar në momentin e ndalimit kanë qenë duke shkëmbyer sasi substancash narkotike dhe janë arrestuar nga Njësiti antidrogë i Policisë së Kosovës.
Në këtë operacion policor janë sekuestruar: 51 kg (pesëdhjetë e një kilogram) e 664.6 gr substancë narkotike e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë, 3 vetura, 8 celularë, 980 euro, 30 franga, 1 dollar para të gatshme(thata).
Në vendngjarje, po ashtu ka dalë edhe Njësiti i forenzikës së PK-së për procedura të nevojshme.
Lidhur me rastin janë bastisur tri lokacione në Viti dhe gjatë bastisjes është gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë me dy tyta, 32 fishekë të kalibrit të ndryshëm dhe 51.9 kg duhan./IndeksOnline/