Komuniteti i biznesit kërkon që Kuvendi të mos shpërndahet para miratimit të buxhetit 2021

Kryeministri Avdullah Hoti, përmes një postimi në FB, ka njoftuar se sot ka zhvilluar një takim virtual me komunitetin e biznesit në vend.
Kreu i Qeverisë, thotë se ky komunitet kërkon që Kuvendi të mos shpërndahet para miratimit të buxhetit 2021.
Ky është postimi i plotë i tij:
Komuniteti i biznesit kërkon që Kuvendi të mos shpërndahet para miratimit të buxhetit 2021
Sot zhvillova një takim virtual me komunitetin e biznesit në vend, të cilin e informova në hollësi me masat e reja antiCovid-19, që pritet të miratohen nga Qeveria dhe të hyjnë në fuqi nga 23 dhjetori 2020.
Komuniteti i biznesit ofroi mbështetje për masat e reja antiCovid-19 dhe insistoi që Kuvendi të mos shpërndahet pa e miratuar buxhetin 2021. I sigurova ata se jam në komunikim të vazhdueshëm me grupet parlamentare dhe se po angazhohemi maksimalisht që përbërja aktuale e Kuvendit të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm, si edhe disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me buxhetin.
U pajtuam se buxheti është parakusht për krijim e paketës së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, përkatësisht mbështetje ndaj bizneseve të prekura nga pandemia Covid-19.