Haradinaj- Stublla: Italia po punon intensivisht për sigurimin e vaksinave për shtetet e Ballkanit Perëndimor

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Disaporës, Meliza Haradinaj- Stublla ka pritur në një takim homologun e tij Italian, Luigi di Maio, i cili po viziton Kosovën për të përshëndetur trupat italiane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.

Haradinaj- Stublla dhe Maio kanë diskutuar për situatën aktuale në Kosovë dhe zhvillimet në rajon, sidomos për bashkëpunimin e mirë në shumë fusha midis Kosovës dhe Italisë.
“Pashmangshëm një prej temave qendrore të takimit ishte situata me pandeminë në të dyja shtetet, ku mora përkrahjen e ministrit Di Maio për bashkëpunim të ngushtë me Italinë për mundësinë e sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës anti-covid 19 për qytetarët tanë. Ai më premtoi se Italia po punon intensivisht me Komisionin Evropian për të krijuar një linjë të veçantë për sigurimin e vaksinave për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në pjesën e parë të vitit 2021”, ka shkruar midis tjerash ajo.

Shkrimi i saj i plotë:
Ishte kënaqësi e veçantë të mirëpres në Prishtinë sot ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, z.Luigi di Maio, i cili po qëndron në Kosovë për të përshëndetur trupat italiane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.
Me homologun italian kishim një takim të frytshëm, ku diskutuam për situatën aktuale në Kosovë dhe zhvillimet në rajon, e sidomos për bashkëpunimin e mirë në shumë fusha mes Kosovës dhe Italisë, dy vende që vazhdojnë të fuqizojnë marrëdhëniet e shkëlqyera mes vete.
Pashmangshëm një prej temave qendrore të takimit ishte situata me pandeminë në të dyja shtetet, ku mora përkrahjen e ministrit Di Maio për bashkëpunim të ngushtë me Italinë për mundësinë e sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës anti-covid 19 për qytetarët tanë. Ai më premtoi se Italia po punon intensivisht me Komisionin Evropian për të krijuar një linjë të veçantë për sigurimin e vaksinave për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në pjesën e parë të vitit 2021.
Përkrahja nga Italia nuk ka munguar as gjatë periudhës së pandemisë, ku ndihma nga shteti italian si dhe asistenca e komandës italiane të KFOR-it në menaxhimin e situatës kanë qenë thelbësore.
Gjatë këtij takimi, gjithashtu diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me rëndësi strategjike, veçanërisht në atë të mbrojtjes, përkrahjes së mëtejme për fuqizimin e rinisë së mrekullueshme të Kosovës.