SHBA: 20 milionë të prekur me covid, 180 mijë të infektuar çdo ditë

Me hyrjen në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kaluar pragun e 20 milionë personave të prekur nga pandemia e Covidit-19.
78 mijë jetë u humbën gjatë muajit dhjetor, duke e çuar totalin e viktimave në afro 348 mijë.
Gati 1 në 950 amerikanë nuk i kanë mbijetuar dot sëmundjes infektive, ndërsa një variant i ri më i transmetueshëm i virusit ka nisur të qarkullojë në disa shtete.
Tri javë pas fillimit të fushatës së vaksinimit, vendi ka imunizuar rreth 3 milionë persona me dozat e para të kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech” dhe “Moderna”.
Procesi është sugjeruar të shpejtohet me ndihmën e veterinerëve apo mjekëve ushtarakë, për të arritur objektivin prej 100 milionë të të vaksinuarish që autoritetet presin deri në fillimin e marsit.
Entoni Fauçi, kryespecialisti amerikan për sëmundjet infektive, ka deklaruar se brenda vjeshtës, shumica e qytetarëve amerikanë mund të jenë të imunizuar.
Kalifornia rezulton ndër shtetet më të prekura nga pandemia, e ndjekur nga Teksasi dhe Florida, ndërkohë që mbi 180 mijë veta po diagnostikohen çdo ditë me simptoma të Covidit-19.
125 mijë pacientë janë ende duke marrë ndihmë mjekësore në spitalet amerikane.