Për herë të parë në histori- Koreja e Jugut regjistron më shumë vdekje sesa lindje

Koreja e Jugut regjistroi më shumë vdekje sesa lindje në vitin 2020, për herë të parë në histori, gjë që ngre alarmin për vendin që ka tashmë normën më të ulët të lindjeve në botë.
Vetëm 275.800 foshnja kanë lindur vitin e kaluar – 10% më pak se në vitin 2019. Rreth 307,764 persona kanë vdekur.
Presidenti Moon Jae-in ka miratuar, muajin e kaluar, disa politika që synojnë adresimin e nivelit të ulët të lindjeve, përfshirë stimuj me para për familjet.
Sipas skemës, nga viti 2022, çdo fëmijë i lindur, do të marrë rreth 1.800 dollarë në start dhe nga 270 dollarë çdo muaj, derisa të bëhet një vjeç.
Analistët thonë se rënia e popullsisë vë barrë të madhe mbi një vend.
Përveç presionit të shtuar mbi shpenzimet publike, pasi kërkesat për sistemet e kujdesit shëndetësor dhe pensionet rriten, rënia e popullsisë së re gjithashtu çon në mungesë të fuqisë punëtore, gjë që ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi.