Petkoviq: Serbia do të ndërtojë spital në Graçanicë në vlerë 6 milion euro

Pas ndarjes së 36 banesave pa leje në Mitrovicë, Serbia do të ndërtojë edhe spital në Graçanicë, ka bërë të ditur drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Petkoviq ka vënë në dukje se dorëzimi i 36 banesave në veri të Mitrovicës, të ndërtuara me fonte të Serbisë, është “vetëm një pikë loti në det”, bazuar në atë që do të bëhet e do të ndihmohet.
Petkoviq, në një intervistë për uebfaqen e Partisë Përparimtare të Serbisë, ka theksuar se në radhë është ndërtimi i një spitali në Graçanicë në vlerë mbi gjashtë milionë euro.
“Para nesh është ndërtimi i spitalit në Graçanicë. Është e natyrshme që po i gëzohem kësaj, pasi populli ynë pas një dekade neglizhencë, mund ta shohë se Serbia sinqerisht kujdeset për qytetarët e saj”, ka thënë Petkoviq.
Petkoviqi ka thënë se “me ndihmën e Serbisë është luftuar edhe COVID-19” në mjediset ku jetojnë serbët.
Qeveria e Serbisë të mërkurën ndau 36 banesa për çiftet serbe në Mitrovicë të Veriut. Këto banesa, janë pa leje ndërtimi dhe pa pëlqim urbanistik nga institucionet e Kosovës, mirëpo ato dhe shumë të tjera janë ndërtuar viteve të fundit.