Papa Françesku do vaksinohet nga COVID-19 javën e ardhshme

Papa Françesku tha të shtunën se kishte në plan të vaksinohej kundër COVID-19 që në javën e ardhshme dhe u kërkoi të gjithëve që të vaksinoheshin, për të mbrojtur jo vetëm jetën e tyre por edhe të të tjerëve.
“Unë besoj se të gjithë duhet të marrin vaksinën,” tha Papa në një intervistë për stacionin televiziv Canale 5.
Vatikani së shpejti do të nisë fushatën e vet të vaksinimit kundër koronavirusit. Si pjesë e planit të saj të vaksinimit, Vatikani tha se kishte siguruar një frigorifer ultra të ftohtë për të ruajtur dozat, duke sugjeruar se do të përdorë vaksinën e zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech, e cila duhet të ruhet në rreth minus 70 gradë Celsius (minus 94 Fahrenheit).