75 Mall Live Search
09:32 / E Martë, 12 Janar 2021 / OSH

Franca asgjëson 600 mijë shpendë për të frenuar gripin H5N8

Të paktën 600 mijë shpendë janë asgjësuar në Francë gjatë dy javëve të fundit për shkak të shpërthimit të gripit të shpendëve nga virusi H5N8, i cili ka vazhduar të evoluojë në një zhvillim shqetësues.

Ministri i Bujqësisë i Francës, Julien Denormandie, tha dje për radion lokale France Bleu Occitanie se ka gjashtë epiqendra të provuara të përhapjes së virusit në rajonin Gers dhe 180 në gjithë vendin.

Gripi i shpendëve nuk është i transmetueshëm te njerëzit përmes konsumit të mishit ose vezëve, por është shumë ngjitës për shpendët.

Sipas Anadolu Agency, në një deklaratë shtypi, Denormandie tha se autoritetet po përshpejtojnë masat për të dyfishuar kapacitetin e therjes dhe për të mbështetur prodhuesit me kompensim financiar.

Përhapja e grupit patogjen të shpendëve (HPAI) u zbulua së pari në rajonin Chalosse, i cili ka një numër të lartë të fermave të rosave dhe është i famshëm për prodhimin e “foie gras”, një delikatesë gastronomike e bërë nga mëlçitë e majmura të rosave ose patave.

Më pas gripi u përhap në rajonet fqinje: Hautes-Pyrenees, Pyrenees-Atlantiques dhe Gers. Për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të gripit, autoritetet nga 24 dhjetori njoftuan therjet parandaluese në rreze prej pesë kilometrave nga fermat e pulave.

Gripi i shpendëve aktualisht është aktiv në rajonin jugperëndimor të Francës dhe pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Holandës dhe Danimarkës. Përhapje të ngjashme të gripit ndodhën në Francë edhe në vitet 2015 dhe 2017.

Top Channel