Xhavit Haliti ka një kusht për Nismen: Se ndërrojmë akronimin e partisë

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti thotë se si parti nuk e kanë ndërmend të ndërrojnë akronimin e partisë për zgjedhjet e 14 shkurtit, porse janë të hapur për ata që duan të bëjnë marrëveshje.
“PDK-ja ka kushtet e veta kështu që deri tashti nuk ka diçka zyrtare, ende nuk kemi zyrtarizu asgjë. S’kemi negociata e kemi një kusht që nuk e ndërrojmë akronimin e partisë, nëse duan marrëveshje bëjmë vetëm emra të përvetç të ndonjë partie eventuale që pranon kushtet tona”, ka thënë Haliti në një bisedë për IndeksOnline.
“T’i marrëveshje bon, por ne nuk dalim me akronim tjetër, dalim vetëm me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), jo me i fut edhe partitë e tjera në akronim, në emërtimin e koalicionit, vetëm me PDK-në. Në qoftë se pajtohemi, na bashkohen, në qoftë se nuk pajtohemi gjithkush në shtëpi të veten”, ka shtuar ai.
Haliti ka thënë se po punojnë maksimalisht që të dalin si parti e parë në këto zgjedhje, ku edhe do të konkurrojnë me program të pranueshëm para votuesve.
“Ne do të përbëjmë përpjekje maksimale që të dalim në vend të parë si parti, rezultatet janë çështje e votuesve, angazhimi dhe të konkurrojmë me një program të pranueshëm para elektoratit dhe të besueshëm”, theksoi Haliti.
Vlen të përmendim faktin se pak ditë më parë është përfolur për një koalicon të mundshëm midis PDK-së dhe Nismës së Fatmir Limajt. /IndeksOnline/