75 Mall Live Search
09:08 / E Mërkurë, 13 Janar 2021 / OSH

Fillon afati për aplikim për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës ka filluar sot, 13 janar dhe do të përfundojë më 21 janar 2021, në orën 18:00 sipas kohës lokale në Kosovë.

Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar nëpërmjet postës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 14 shkurt 2021.

Gjithashtu, edhe ata-ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për shtetësinë, mund të aplikojnë.


Në këtë afat të përcaktuar nga KQZ-ja, aplikimi për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës mund të bëhet nëpërmjet këtyre mundësive: fahut postar të KQZ-së; fax-it të KQZ-së dhe nëpërmjet ndonjërës nga e-mailet adresat e shërbimit votues të KQZ-së.

Të gjitha informacionet e detajuara dhe se si të aplikohet për regjistrim janë të publikuara në këtë link: https://www.kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që jetojnë jashtë Kosovës dhe që i plotësojnë kriteret ligjore përkatëse – që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës e pastaj edhe të votojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.