KQZ nis verifikimin e aplikacioneve, mbi 75% e aplikuesve jashtë vendit janë lajmëruar në telefon

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka informuar të gjithë aplikuesit që kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues jashtë vendit se ka filluar procesin e verifikimit të tyre duke i kontaktuar përmes telefonit.
Sipas njoftimit të KQZ-së, mbi 75 për qind e aplikuesve që janë kontaktuar deri më tani, janë lajmëruar në telefon.
“KQZ po kontakton aplikuesit përmes telefonit dhe nga rreth 2000 persona të kontaktuar, në thirrjet e para të realizuara, mbi 75% e aplikuesve janë lajmëruar në telefon dhe janë konfirmuar aplikimet e tyre”, thuhet në njoftim.
KQZ do të vazhdojë të kontaktojë përsëri aplikuesit në mënyrë që t’iu mundësojë verifikimin e aplikimit të tyre.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur afatin e aplikimit të subjekteve politike dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetët që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt 2021.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se gjatë kohës së rezervuar janë dorëzuar për aplikim dhe certifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsejt: 28 subjekte politike, prej tyre: 21 parti politike; 2 koalicione; dhe 5 iniciativa qytetare.
Elezi njoftoi se numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1 079 kandidatë.
“Gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 8 janar – 16 janar, kanë dorëzuar aplikimin për çertifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsejt: 28 subjekte politike, prej tyre: 21 parti politike; 2 koalicione; dhe 5 iniciativa qytetare. Nuk është paraqitur asnjë kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1 079 kandidatë”, tha Elezi.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 14 shkurt.
Këtë listë e dorëzoi, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi i cili tha se sado që kjo garë do të jetë e ashpër, beson se LDK-ja do të jetë fituese.
“Besoj se është lista më e mirë në këtë garë zgjedhore. Listë e cila udhëhiqet nga kryeministri aktual dhe kryeministri i ardhshëm, Avdullah Hoti. Megjithëse do të jetë një garë e ashpër, LDK-ja do të dal fituese në këtë garë. Kemi një proces të verifikimit nga KQZ-ja, prandaj do ta presim edhe atë pastaj do të prezantojmë kandidatët”, tha Abrashi.
Për disa nga partitë politike tashmë janë bërë të ditura edhe listat e kandidatëve.