75 Mall Live Search
17:51 / E Hënë, 18 Janar 2021 / Blerim

Nuk dorëzohet organizata “GERMIN”: Do ta çojmë rastin në Gjykatën Kushtetuese

Pasi kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen juridike të apelit të organizatës joqeveritare “GERMIN”, të paraqitur kundër vendimit nr. 42-2021 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke vendosur sipas ankesës të organizatës Joqeveritare “GERMIN”, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa Anr.1/2021, në seancën e kolegjit të mbajtur me datë 18.01.2021, hodhi poshtë si të palejuar ankesën e “GERMIN”, ka reaguar organizata në fjalë.

“Gjykata Supreme e Kosovës përmes Aktvendimit AA.nr.1/2021 e ka hedhur si të palejuar ankesën tonë kundër vendimit nr. 42-2021 të KQZ dhe vendimit Anr.1/2021 të PZAP. Sikurse kjo e fundit, Gjykata Supreme vlerëson se vendimi i KQZ nuk i cënon të drejtat zgjedhore të garantuara me Kushtetutë dhe me Ligjin mbi Zgjedhjet e Përgjithshme, neni 122.1, pika a) përfshirjen ose largimin e një personi për të marrë pjesë në programin votues brenda apo jashtë Kosovës”, thuhet në reagimin organizatës Joqeveritare “GERMIN”

Ata kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë të konsiderojmë se vendimi i KQZ nr. 42-2021 i datës 11.01.2021 cënon të drejtat kushtetuese dhe ligjore, çka po vërtetohet edhe në procesin e verifikimit të aplikuesve për votim nga jashtë përmes telefonit, ku janë raportuar raste të largimit nga lista e votuesve për shkak të mosqasshmërisë në telefon.

“Prandaj, do të përdorim të gjitha mjetet juridike që ta çojmë rastin në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. #DiasporaVoton”, përmbyll reagimin e saj kjo organizatë.