‘Sërish vjen marsi’ – gjendja e sulmueseve të Kosovës ‘katastrofale’

Kombëtarja e Kosovës në futboll pritet që gjatë muajit mars të nisë fazën kualifikuese për kupën e botës “Katari 2022”.
Gjendja e Kombëtares së Kosovës para këtyre ndeshjeve nuk duket edhe në formë, sidomos sulmi!
Treshja sulmuese: Milot Rashica, Vedat Muriqi dhe Atdhe Nuhiu kanë kohë që s’kanë shënuar gola. Përveç kësaj, lojtarët e përmendur nuk kanë edhe minuta të mjaftueshme te klubet e tyre: Apoeli, Werderi dhe Lazio, shkruan IndeksOnline.
A do të ndikojë kjo në ndeshjet e Kosovës në muajin mars? Flet analisti i futbollit kosovar, Arsim Prepolli.

“Sigurisht që ndikon, sepse futbollistit i duhen sa më shumë minutazhë. Kurse sulmuesit sa më shumë gola. Por, shpresoj shumë që deri në mars lojtarët do ta marrin veten dhe të jenë të gatshëm për Kosovën”, ka thënë Prepolli për IndeksOnlinen.
Në rast se vazhdon kjo formë e futbollistëve të Kosovës, a mund të jetë Superliga një zgjidhje?
“Herët është të flitet, por nga Superliga është Mirlind Daku. Ai është në formë tani”, shtoi analisti kosovar.

Jemi më 26 janar dhe Milot Rashica ka zerro gola të shënuara. Të njëjta statistika kanë edhe: Vedat Muriqi (ende s’ka shënuar zyrtarisht me Lazion) dhe Atdhe Nuhiu.
Golin e fundit Muriqi e shënoi më 15 nëntor, 2020 kundër Kombëtares së Sllovenisë.

Golin e fundit Nuhiu e shënoi më 14 shtator, 2020 kundër Zrinjski në UEFA Europa League.

Golin e fundit Rashica e shënoi më 28 gusht, 2020 kundër St. Pauli në miqësore.

Shpresojmë që kjo treshe sulmuese të rikthehet në formë para ndeshjeve të muajit mars. Më 28 mars luan ndaj Suedisë, kurse më 31 ndaj Spanjës./IndeksOnline/