75 Mall Live Search
10:35 / E Premte, 29 Janar 2021 / Blerim

Për çudi, Berisha s’ka shënuar ende në sezonin e ri: S’mund të jetoj…

Besart Berisha, sulmuesi i Western United shpreson që të shënoj sa më shpejt golin e tij të parë këtë sezon kundër ish-skuadrës së tij Melbourne Victory.

‘Nuk mund të jetojë’ – pa shënuar gol, sigurisht, ka thënë Berisha për mediat në Australi, shkruan IndeksOnline.

Golashënuesi më i mirë në histori të A-League ende nuk e ka hapur llogarinë e tij në sezonin e ri. Ai ka bërë 5 ndeshje, por nuk ka shënuar asnjë gol!

“Unë i dua golat. Me të vërtetë i dua. Është në ADN-n time. Ndihem sikur nuk jetoj pa gola. Kam nevojë për ato”, ka thënë Berisha.

“Unë jam një sulmues tipik që jetoj për të shënuar. Kjo ndihmon ekipin, por edhe mua”, vazhdoi sulmuesi kosovar.

E pabesueshme ishte javën e kaluar kur Western shënoi 5 gola në ndeshjen ndaj Perth Glory [5-4] – dhe Berisha s’ishte i regjistruar në listën e golashënuesve.

Trajneri i United, Mark Rudan kërkoi nga lojtarët e tij që të kenë shërbime më të mira për Berishën.

“Ne të gjithë e dimë që lojtarët po përpiqen” tha trajneri Rudan.

Berisha foli edhe për ndjenjën e ‘çmendur’ për të luajtur kundër ish-skuadrave të tij; Melbroune dhe Brisbane.

Në shtatë sezone, në dy klubet, Berisha fitoi; katër kampionate, dy premierë, një Kupë FFA dhe dy Këpucë të Arta.

“Nuk ka rëndësi se luaj kundër Brisbane apo Melbroune, fitorja është gjithmonë e veçantë. Kam ndarë shumë kujtime të mira me këto klube. Unë kam shumë respekt për ta, dhe sigurisht se do të jetë emocionuese”, përfundoi kosovari.

Kujtojmë që ish-lojtari i Kombëtares së Kosovës në Australi ka shënuar 135 gola – më së shumti në historinë e A-League./IndeksOnline/