75 Mall Live Search
19:42 / E Martë, 02 Shkurt 2021 / Blerim

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet fillimin e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës dhe Izraelit

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike ne mes të Republikës se Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.

“Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit është një hap i rëndësishëm, diplomatik, historik, kulturor dhe ekonomik ne mes të dy vendeve”, thuhet në një deklaratë të këtij këshilli.

Kjo marrëveshjeje e bën Izraelin shtetin e 117 që e njeh Republikën e  Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur.

“Me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, shteti i Kosovës shënon konsolidim në arenën ndërkombëtare duke krijuar miq të rinj edhe në Lindjen e Mesme”, thuhet tutje në deklaratë.

Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike hap rrugën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërinstitucional në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Kjo ngjarje historike konfirmon edhe njëherë miqësinë shqiptaro-izraelite.

“Mirënjohje dhe falënderim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjithë mbështetjen e dhënë deri ne realizimin e kësaj marrëveshje”, përfundon deklaratën këshilli.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është një organizatë e pavarur, jo fitim prurëse, themeluar së fundmi nga një grup ish- ambasadorësh, sipas modelit që kanë organizatat e tilla në vendet demokratike. Në përputhje me ligjin shqiptar, ky Këshill do të jetë një shoqatë e hapur për antarësim të të gjithë atyre që kanë dëshirë dhe plotësojnë kushtet e parashikuara në statut. Anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve duhet të kenë mbajtur të paktën për një mandate postin e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë ose të kenë qënë diplomatë të lartë, me funksione drejtuese në Ministrinë e Punëve të Jashtme për më shumë se pesë vjet. Të drejtën për t’u antarësuar në këtë Këshill e kanë edhe ish – ministrat e jashtëm.